Sali Berisha ka njoftuar se Partia Demokratike do të nisë protestat nga dita e Hënë, me një skenar të ri dhe më të ndërlikuar se protestat e mëparshme.
Ai theksoi se, në ditën e parë të punës së Kuvendit, deputetët e PD-së dhe qytetarët do të mblidhen para Kryeministrisë, duke kërkuar llogari për situatën e vendit dhe qeverisjen e Edi Ramës.
Berisha shtoi se ky është vetëm fillimi i një seri protestash dhe se më pas do të thirret një “Protestë Kombëtare” për të kundërshtuar, siç e quajti ai, “narko-shtetin” e Ramës dhe për të luftuar kundër asaj që ai e përshkroi si një “diktaturë”.
Në fjalën e tij, lideri i PD-së theksoi se “kjo është rruga e vetme që ka mbetur për të shpëtuar vendin nga kjo qeverisje”, duke nënvizuar se PD do të ndërmarrë një analizë të plotë të situatës dhe do të angazhohet me protesta deri në ndryshim të qeverisë.
