Mbingarkesa, për shkak të vonesës, studentët do të bëjnë leksione të koncentruara
Vonesa – Për shkak të nisjes vonë të aplikimeve për të studiuar në një nga degët në sistemin e korrespondencës u shty edhe afati i nisjes së mësimit
Vështirësitë – Për shkak të nisjes me vonesë të mësimit në sistemin part-time, studentët do të duhet të mësojnë më shumë dhe të asimilojnë materiale të ngjeshura
Mesatarja – Studentët me mesatare më të ulët për disa vite po pranohen kryesisht nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës aty ku përgatitja duhet të jetë tepër e lartë
Nisja e aplikimeve me vonesë për sistemin me kohë të pjesshme për studimet universitare ka sjellë probleme me fazat njëra pas tjetrës. Hapja e konkursit për korrespondencën u bë me vonesë, ndërkohë që nga mbledhja e dosjeve të aplikantëve e deri në shpalljen e fituesve të fazës së parë u deshën mbi 10 ditë.
Për shkak të atmosferës festive dhe pushimit njëjavor të administratës së universiteteve dhe largimit të studentëve, edhe sekretaritë mësimore kanë mbyllur shërbimet.
Kështu faza e dytë e regjistrimeve për kuotat e mbetura bosh pritet të mbyllet menjëherë me javën e re.
Kuotat
Edhe në rast se do të ketë përsëri kuota të paplotësuara, edhe në rast se do të ketë vende bosh, për shkak të mosparaqitjes së kandidatëve për regjistrime, edhe pse janë shpallur fitues, nuk do të ketë më faza të tjera. Mësimi për studentët e vitit të parë të korrespondencës do të nisë të paktën më datë 10 dhjetor, dhe vendet bosh, rastet e mbetura pa regjistruara do të plotësohen edhe kur studentët të kenë nisur mësimin.
Studentët e korrespondencës edhe këtë vit, njësoj si dy vjet më parë, e kanë bërë “traditë” tani nisjen e shkollës me vonesë.
Kjo do t’i rëndojë në kurriz, sepse sipas pedagogëve për të përfunduar vitin akademik në kohë, si dhe për të dhënë provimet në fund të semestrit të parë, ashtu siç parashikon programi mësimor, pedagogë e studentë do të bëjnë mësim të koncentruar.
Kjo do të thotë se në një leksion ata do të marrin informacion dhe do të shqyrtojnë materialet që do të asimilonin në dy apo tre javë.
Semestri
Koha në dispozicion deri në mbyllje të semestrit të parë është e shkurtër, megjithatë studentët do të kenë mundësi që në këtë mënyrë, semestrin e dytë ta nisin në kohë dhe materialet të mos i kenë të ngjeshura, bashkë me leksionet, detyrat e seminaret.
Për këtë vit shkollor, degët më të preferuara në sistemin part-time, apo siç njihen ndryshe, korrespondencë, vijojnë të jenë Juridiku, Ekonomiku, degët e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Të gjitha këto degë kanë edhe numrin më të madh të aplikantëve, kërkesat dhe kritere më të rrepta për pranime, si dhe kusht për të pasur mesatare të lartë për t’u pranuar.
Problem mbetet Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku studimet part-time “kushtojnë shumë lirë”. Edhe pse kërkesat për një fakultet ku studiohen shkencat ekzakte duhet të jenë të larta, për shkak se këto degë janë të papreferuara për një pjesë të nxënësve që mbarojnë studimet parauniversitare, si dhe për shkak të kuotave të larta, fituesit e studimeve në këtë fakultet janë kryesisht nxënës me mesatare të dobët. Lorina Mixha