Bruksel


Flet eurodeputeti i CDU-së, Philipp Misfelder


Partia e qendrës së djathtë gjermane, e drejtuar nga Kancelarja Angela Merkel, është e qëndrimit se Shqipëria duhet ta marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Këtë e bëri të ditur në një intervistë për radion gjermane “Deutsche Welle”, përgjegjësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të Partisë Unioni Kristian Demokrat, Philipp Misfelder. “Në këndvështrimin tim, Shqipëria e meriton këtë status. Por vetëm pas zgjedhjeve do të diskutohet në çfarë mënyre do të avancojmë më tej. Kriteret janë më se të qarta dhe duhen përmbushur. Vendi duhet të bëjë përparime për sa i takon luftës kundër korrupsionit, por edhe drejtësisë. Në fund të fundit janë të njëjtat kritere që kërkohen edhe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e natyrisht Shqipëria. Vendi juaj ka bërë përparime, është një partnere e rëndësishme për ne në NATO, ndaj në plan afatgjatë s’ka asgjë kundër që ajo të jetë edhe pjesë e BE-së. Vitin e ardhshëm duam të punojmë, që pas zgjedhjeve t’i japim statusin e vendit kandidat”, deklaroi Misfelder, duke hedhur poshtë pretendimet e mazhorancës se ndaj Shqipërisë ishin vendosur kushte më të forta se ndaj vendeve të tjera në rajon. Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në vend, zyrtari i lartë i partisë theksoi se ato duhet të mbahen të lira e të ndershme në kuadër të standardeve të vendeve të Bashkimit Europian. Holanda dhe Gjermania ishin dy vendet e Bashkimit Europian që kishin më shumë dyshime në lidhje me meditimin e këtij statusi nga ana e vendit tonë. Shqipëria humbi këtë vit për të tretën herë radhazi shansin për të përfituar statusin e vendit kandidat në BE-së, përsëri si rezultat i faktit se mazhoranca dhe opozita nuk po gjejnë gjuhën e bashkëpunimit për të votuar reformat që konsiderohen si jetike për dhënien e statusit. Tashmë vendit i kanë mbetur edhe tri kushte për të plotësuar në lidhje me 12 prioritetet që në vitin 2009 Brukseli i dërgoi Shqipërisë në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat. Mosplotësimi i këtyre prioriteteve ka vijuar ta penalizojë Shqipërinë. Por njëkohësisht me këtë dështim dhe vëmendja e Europës është rritur ndaj Shqipërisë, nisur nga frika se zgjedhjet e ardhshme në vend mund të mos të jenë të lira e të ndershme dhe se ato mund të kontestohen nga humbësi i tyre.


F.M.


 


Deklarata


“Vitin e ardhshëm duam të punojmë, që pas zgjedhjeve t’i japim statusin e vendit kandidat””