Aktori dhe kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka reaguar pas qëndrimit të Agron Shehajt, i cili deklaroi se nuk do ta mbështesë kandidaturën e tij.

Në një reagim publik, Binaj falenderoi Partinë Demokratike, “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” për mbështetjen, ndërsa u shpreh se mbetet i hapur për çdo forcë opozitare që do t’i bashkohet.

“Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje.
Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare,” – tha Binaj.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve të Tiranës që e kanë inkurajuar ditët e fundit, duke theksuar se kjo garë është për ta.

“Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU!
Deri më sot kam luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humorin dhe artin tim, sot ju ftoj ta luftojmë me votë,” – shtoi ai, duke i bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për të “dënuar me votë ata që kanë bërë humor me njerëzit”.