Partia Mundësia do të garojë me kandidatët e saj në zgjedhjet vendore të pranverës së vitit 2027.
Kreu i kësaj force politike, Agron Shehaj, ka bërë të ditur nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet lokale përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ku u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen ekipit të partisë.
Shehaj fton veçanërisht personat që synojnë të përfaqësojnë komunitetet e tyre në këshillat bashkiakë, duke theksuar se “Mundësia” është e hapur për këdo që dëshiron të japë kontributin e tij.
Sipas tij, strukturat e partisë kanë nisur mobilizimin në kuadër të zgjedhjeve të vitit 2027, me synimin për të siguruar përfaqësues në çdo këshill bashkiak në vend.
“Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen! Kushdo nga ju që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij, qytetin e tij në Këshillin Bashkiak, është i ftuar t’i bashkohet Partisë Mundësia”, shprehet Shehaj.
Kreu i “Mundësia” nënvizoi se rezultati i forcës politike në zgjedhjet e ardhshme do të varet nga puna e strukturave dhe mbështetja që do të marrin nga qytetarët.
“Ju presim sepse na pret një punë shumë e madhe. Se sa anëtarë do të kemi varet nga puna jonë dhe nga vota që qytetarët do të na besojnë”, përfundoi Shehaj.
Deklarata e plotë e Shehajt:
Zgjedhjet vendore po afrohen! Partia Mundësia do të ketë për herë të parë anëtarë në çdo Këshill Bashkiak në të gjithë Shqipërinë. Bravo, Mundësia!
Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen!
Kushdo nga ju që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij, qytetin e tij në Këshillin Bashkiak, është i ftuar t’i bashkohet Partisë Mundësia. Shqipëria, e ardhmja e Shqipërisë ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh. Dhe Partia Mundësia është e hapur për këdo që do të japë kontributin e vet. Ju presim sepse na pret një punë shumë e madhe. Se sa anëtarë do të kemi varet nga puna jonë dhe nga vota që qytetarët do të na besojnë.
