Sot në orën 10:30 minuta, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO mbahet seanca e radhës për dosjen Partizani. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, janë nën akuzë për korrupsion e pastrim parash.
Seanca e parë, më 30 qershor, u shty për mungesë të Berishës, i cili tha se nuk kishte marrë fletëthirrjen, si dhe mungesës së biznesmenit Fatmir Bektashit, për arsye shëndetësore. I pranishëm, Malltezi deklaroi para trupës gjykuese se nuk e kishte njoftuar Berishën për fletëthirrjen për t’u paraqitur në gjykatë.
Në mungesë të Berishës e me kërkesë të prokurorit të SPAK-ut, Arben Krajës, i cili deklaroi se ish-kryeministri nuk është njoftuar në përputhje me ligjin, treshja e gjyqtarëve me kryesuese Elsa Ullirin e relatorë Bib Ndrecën dhe Rudina Palloin, vendosën ta shtyjnë seancën për më 21 korrik, ora 10:30.
Dosja për privatizimin e klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, në truallin e të cilit janë ngritur pallate, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndaj pritet proces i gjatë.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, i akuzuar se në cilësinë e kryeministrit ka ndërmarrë veprime konkrete me miratime ligjesh e aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv e pastrim parash. Sipas SPAK-ut, “ka përfituar të ardhura në vlerën 5.4 milion euro nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë, të marra nga vjehrri i tij”.
Fatmir Bektashi është nën akuzë për korrupsion e pastrim parash, ndërsa ortaku i Malltezit e trashëgimtari i tokës, Xhimi Begeja, si dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare e ligjore të kompanisë “Homeplan”, për pastrim parash. Po për pastrim parash, në gjyq u dërguan edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” e “Studio Pustina”.



