Pas një krize të zgjatur që nisi në orët e para të mëngjesit dhe vijoi deri në mbrëmje vonë, qarkullimi në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd–Prrenjas është rikthyer në normalitet.

Problematikat u shkaktuan nga ngricat e forta dhe reshjet e dëborës, të cilat paralizuan lëvizjen e automjeteve dhe lanë të bllokuara për orë të tëra mijëra mjete dhe dhjetëra mijëra pasagjerë. Drejtuesit e automjeteve u përballën me vështirësi të mëdha, ndërsa shumë prej tyre u detyruan të qëndrojnë në rrugë në kushte të rënda atmosferike.

Situata më e rënduar u shënua në disa prej segmenteve më problematike të këtij aksi, ku ngricat janë një fenomen i përsëritur. Mungesa e ndërhyrjes në kohë në këto zona çoi në bllokim pothuajse të plotë të qarkullimit dhe krijoi radhë të gjata automjetesh.

Sipas burimeve nga terreni, ndërhyrja e vonuar e subjekteve përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës dhe mungesa e masave parandaluese, si hedhja e kripës në kohë, ndikuan ndjeshëm në përkeqësimin e situatës.

Vetëm pas përmirësimit gradual të kushteve atmosferike dhe nisjes së ndërhyrjeve për pastrimin e rrugës, qarkullimi filloi të normalizohej, duke i dhënë fund një dite të gjatë dhe të vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.

Ngjarja ka nxitur reagime dhe shqetësime për mënyrën e menaxhimit të situatave emergjente gjatë kushteve të motit të keq, si dhe thirrje për planifikim më të mirë dhe reagim më të shpejtë nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që raste të ngjashme të mos përsëriten.