Pas 23 ditësh grevë urie përballë autoriteteve greke, Pano Ruçi – babai i Denis Ruçit, një prej viktimave të aksidentit tragjik në Tempi ka arritur më në fund fitoren që kërkonte.

Prokurori i Apelit të Larisës ka pranuar të gjitha kërkesat e tij, përfshirë zhvarrosjen e trupit të të birit dhe kryerjen e analizave të specializuara toksikologjike e biokimike, me garanci për transparencë të plotë gjatë procesit.

Në praninë e bashkëshortes dhe avokates së tij, Ruçi njoftoi se do të ndërpresë grevën e urisë, pasi drejtësia më në fund ka reaguar ndaj kërkesave të tij.

“Njerëzit që ishin pranë meje këto ditë, mbështetja dhe dashuria që më dhanë… lufta jonë do të vazhdojë. Faleminderit të gjithëve! Kjo është një betejë e përbashkët dhe nuk ndalet këtu,” – tha i emocionuar Ruçi.

Ndërkohë, ai ka bërë thirrje për një tubim në Sheshin Syntagma mbrëmjen e së mërkurës, për të “festuar këtë fitore të parë në rrugën drejt së vërtetës”.

Prokuroria e Larisës ka konfirmuar gjithashtu se do të rihapë një çështje të mëparshme, që lidhet me përgjegjësi të mundshme penale të mjekëve ligjorë, për “shkelje detyrimi” dhe “certifikata të rreme”.