Shkolla “Fan Noli” ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e djeshme, ku 14-vjeçari Martin Cani ndërroi jetë.

Në faqen e shkollës është publikuar foto e 14-vjeçarit të ndjerë, teksa thuhet se sot mësimi ka nisur ndryshe, pa Martinin, i cili për 9 vite ka ndjekur mësimin në këtë institucion arsimor.

“Nesër shkolla fillon ndryshe, pa Martinin! Sot u tronditëm të gjithë, mësues, shokë e shoqe, çdo prind dhe çdo familje. Dhimbje e papërshkrueshme! 9 vite shkollë me të dhe që nesër në bankë s’do ta shohim më. Qofsh i parajsës, engjëll!”- shkruhet në reagim.

Martin Cani u qëllua me thikë ditën e djeshme, gjatë një sherri me disa bashkëmoshatarë. Një goditje në zemër, përveç plagëve në bark, duket se ka rezultuar fatale për të miturin, që ndërroi jetë. Ndërkohë, shoku i tij Luis Meçja, ndodhet në spital, edhe ai me plagë të shumta.

Edhe një nga autorët u plagos nga sherri me thika, teksa dy djem të tjerë 14-vjeçarë kanë rënë në pranga për ngjarjen.

Sherri mes të miturve dyshohet se ka nisur rreth një javë më parë në rrjetet sociale për motive të dobëta, teksa dje janë përleshur fizikisht edhe në oborrin e shkollës 9-vjeçare, ku kanë ndërhyrë mësues për t’i ndarë. Pas mësimit, ata janë takuar sërish, këtë herë për një sherr që do përfundonte tragjikisht.