Momenti i leximit të pyetjeve dhe dhënies së përgjigjeve për deputetët në Kuvend nga ana e kreut të SPAk, Altin Dumani, është shoqëruar edhe me një moment tensioni.

Ka qenë kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, që ka ndërhyrë në momentin që Dumani po përgjigjej për pyetjet e bëra nga deputetja Jorida Tabaku. Berisha i ndërpreu fjalën dhe iu drejtua kreut të SPAK që të jepte përgjigje pas çdo pyetje që lexonte dhe të mos i kalonte apo anashkalonte.

“Lexoji të gjitha, të plota dhe përgjigju! Cila është pyetja, një për një, të lexohet dhe jo kështu. Lexohet njëherë pyetja e plotë dhe pastaj jepet përgjigja, nuk mund të bëhet kështu dhe hajt…”-, u shpreh Berisha nga vendi.

Kryeparlamentari Niko Peleshi i kërkoi që të mos ndërhynte, por Berisha këmbënguli që të lexoheshin pyetjet sipas radhës dhe të jepeshin përgjigje konkrete.

Dumani ndërkohë i ishte përgjigjur një prej pyetjeve të Tabakut, nëse ai ishte dorëzuar në fund të mandatit të tij.

“Jo, s’ka të bëjë fare, nuk dorëzohem, nuk jam njeri që dorëzohem, i bëj ball sfidave, unë do vazhdoj të jem prokuror i SPAK dhe të shërbej”, tha Dumani.