“Jam bërë e sjellshme, a mund të më lini të flas”. Kështu e nisi fjalën nga foltorja e Kuvendit deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, në seancën plenare të kësaj të enjteje, pas debatit që ka shoqëruar emrin e saj ditët e fundit në rrjetet sociale.
Më pas deputetja u ndal te projektligji për Menaxhimin e Kmikateve, duke u bërë thirrje kolegëve të mbështesin miratimin e tij.
Sipas Milës, nisma ligjore ka në fokus mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, sigurinë në punë dhe mbrojtjen e mjedisit, ndërsa njëkohësisht përmirëson funksionimin e institucioneve përgjegjëse dhe afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.
“Projektligji parashikon gjithashtu që lista e substancave më të rrezikshme të përditësohet më shpejt, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se edhe Shqipëria do të reagojë më shpejt ndaj zhvillimeve të reja shkencore dhe do të garantojë një mbrojtje më të mirë për qytetarët dhe mjedisin. Ky projektligj është edhe një tjetër hap konkret në procesin e integrimit evropian. Ai na afron me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht krijon një klimë më të mirë për biznesin, duke hequr pengesa administrative të panevojshme, por pa bërë asnjë kompromis me sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, theksoi deputetja socialiste.
