Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka reaguar pas deklaratës së PD-së, e cila tha se Thesari i ka paguar kompanisë 8.641.296 lekë si parapagim për blerjen e automjeteve për IKMT. Përmes një reagimi zyrtar, IKMT ka hedhur poshtë deklarimin e subjektit politik Partia Demokratike sa i takon procedurave të ndjekura për blerje automjetesh përmes kompanisë KAYO.
IKMT thekson se pretendimi se dokumentet e procedurës janë hartuar pas lëshimit të faturës nga subjekti “Timak Defence” nuk qëndron. Sipas tyre, dokumentet zyrtare provojnë krejtësisht të kundërtën. Ata argumentojnë se e gjithë procedura e ndjekur, që nga inicimi deri në kryerjen e pjesës së parapagesës së pjesshme për blerjen e automjeteve është në përputhje me ligjin, aktet nënligjore dhe kontratën e nënshkruar.
Reagimi
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) hedh poshtë si të pavërtetë deklarimin e subjektit politik Partia Demokratike sa i takon procedurave të ndjekura për blerje automjetesh përmes kompanisë KAYO.
Pretendimi se dokumentet e procedurës janë hartuar pas lëshimit të faturës nga subjekti “Timak Defence” nuk qëndron. Dokumentet zyrtare provojnë krejtësisht të kundërtën. Fatura Nr.83/2026 nga subjekti Timak Defence mban datën 7 Gusht 2026 dhe jo 8 Korrik 2026 siç referohet gabimisht në denoncim.
E gjithë procedura e ndjekur, që nga inicimi deri në kryerjen e pjesës së parapagesës së pjesshme për blerjen e automjeteve është në përputhje me ligjin, aktet nënligjore dhe kontratën e nënshkruar. Në kuadër të transparencës ndaj opinionit publik, IKMT sqaron sa vijon të gjithë procedurën e ndjekur:
Në zbatim të VKM-së nr.638 datë 05.11.2025, IKMT ka dërguar pranë shoqërisë KAYO shkresën me nr. 3419 Prot., datë 03.06.2026 “Informacion mbi blerjen e mjeteve të transportit të institucionit IKMT”.
Me shkresën nr.399/3 (3419/1 i IKMT-së) Prot., datë 12.06.2026 shoqëria KAYO ka kthyer përgjigje duke dërguar ofertën me specifikimet teknike dhe kohën e lëvrimit të mjeteve.
IKMT me nr. 3419/2 Prot., datë 19.06.2026 ka nxjerrë urdhrin nr.455 datë 19.06.2026 “Për ngritjen e komisionit për blerjen e mjeteve të transportit nga shoqëria KAYO”, i cili kishte si detyrë të negociojë me shoqërinë për procedurën dhe të përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për blerjen e mjeteve të transportit, urdhër për të cilin është vënë në dijeni shoqëria KAYO me shkresën nr. 3419/3 Prot., datë 29.06.2026.
Komisioni ka vijuar negociatat me TIMAK DEFENCE në lidhje me specifikimet teknike për blerjen e mjeteve me shkresën nr. 3419/4 Prot., datë 08.07.2026, dhe me shkresën nr. 3419/5 Prot., datë 22.07.2026, shoqëria TIMAK ka përcjellë për dijeni ofertën përfundimtare të mjeteve të transportit për finalizimin e procesit.
Shoqëria KAYO me shkresën me nr.470/4 (3419/6 i IKMT-së) Prot., datë 21.07.2026, ka paraqitur ofertën ekonomike, e cila pasi u analizua nga komisioni, u pranua me proces verbalin nr.3419/7 Prot., datë 27.07.2026. Në vijim të procedurës u lidh kontrata tripalëshe me nr. 3419/8 Prot., datë 06.08.2026.
Institucioni, mbështetur në kontratën nr.3419/8 Prot., datë 06.08.2026, nenin 14, pika 14.1, gërma ii, nënpika a – cituar – “20 % e vlerës totale të kontratës, përfshirë TVSH-në, do të paguhet si parapagesë”, ka realizuar parapagesën me Urdhër Shpenzimi nr.421, datë 12.08.2026, me vlerë 8,641,296 (tetë million e gjashtëqind e dyzet e një mijë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë për faturën nr.83/2026 datë 07.08.2026, për procedurën”Blerje Mjete Transporti”.
Sipas kontratës, pjesa e mbetur të faturës do të likujtohet në momentin kur automjetet do ti dorëzohen Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit.
