Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet më 22 shtator për të shqyrtuar dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë, Ermal Dredha, si dhe për të caktuar në krye të institucionit një prej tre nënkryetarëve aktualë: Elis Halili, Irena Toshkallari ose Klea Lalo.

Burime pranë këshillit bëjnë me dije se kandidati më i mundshëm për t’u komanduar është Elis Halili, i cili u emërua nënkryetar nga vetë Dredha pak ditë përpara dorëheqjes së tij. Halili ka një eksperiencë të gjatë në sektorin privat dhe ka qenë i angazhuar me projektet zhvillimore të qytetit të Vlorës.

Ermal Dredha dha dorëheqjen më 10 shtator, pas vetëm një viti në drejtimin e bashkisë. Në letrën e tij, ai e konsideroi vendimin si akt reflektimi dhe përgjegjësie, duke theksuar se largohet “me dinjitet” për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja në qeverisjen vendore.