Dega e Partia Demokratike në Elbasan po zhvillon këtë të diel procesin për zgjedhjen e drejtuesit të ri. Në garë janë pesë kandidatë: Lumturi Hasa, Durim Cekrezi, Elior Vila, Sokol Shkëlzeni dhe Alis Narazani.
Ky proces konsiderohet kyç për të ardhmen e degës, por është shoqëruar me polemika, pasi disa anëtarë pretendojnë se u është hequr emri nga listat e anëtarësisë pa asnjë njoftim paraprak.
Fillimisht, shqetësimi u ngrit nga Doris Madhi, anëtare e PD-së dhe drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të qytetit, e cila deklaroi se ishte përjashtuar nga lista në mënyrë të pashpjeguar. Ndërkohë, sipas burimeve, nga lista janë hequr edhe emrat e Rudina Allës, kryetare e Forumit të Gruas, Zheni Gjergjit, e cila së fundmi është emëruar drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit, si dhe Alesia Balliut.
Kjo e fundit ka shprehur publikisht ambicien për të kandiduar për kreun e PD-së, përballë Sali Berisha.
Këto zhvillime vijnë vetëm pak ditë pas përjashtimit të dy këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, të cilët u ndëshkuan pasi mbështetën lëvizjen e Ervin Salianji.
