Gjashtë fshatra të Njësisë Administrative Skënderbegas në Gramsh janë përfshirë këtë vit nga flakët, duke lënë pas një tragjedi të rëndë njerëzore dhe materiale.

Dhjetëra shtëpi dhe kasolle me bagëti janë djegur plotësisht, ndërsa dëshmitë nga vendngjarja janë tronditëse. Nga Kullollasi në Bletëz, zjarri shkrumbon thuajse gjithçka duke lënë fëmijë dhe të moshuar pa strehë.

Zjarri nisi në fshatin Kullollas, një nga më të largëtit e zonës, ku dy banesa dhe disa stalla u shkrumbuan. Në një nga këto shtëpi humbi jetën një banor, pasi flakët shpërthyen vetëm pak metra larg shtëpisë së tij.

Të afërmit tregojnë se zjarri nisi papritur dhe përhapi me shpejtësi përreth banesave. Një grua nga fshati thotë se shpëtimi i shtëpisë së saj ishte një luftë me kohën, duke përdorur vetëm kova uji për të ndaluar përhapjen e flakëve.

“Ne e mbajtëm shtëpinë vetëm me kova uji… ishte tmerr. Kasollet e bagëtive nuk i shpëtuam dot, janë djegur të gjitha,” – tregon ajo.

Në vendngjarje takuam dhe një infermier, i cili edhe pse nuk ka marrë ndihma për shkak të “pagës së mirë”, shprehet se në raste emergjence nuk duhet të ketë përjashtime. “Emergjenca është emergjencë, të gjithë kemi humbje,” – u shpreh ai.

Pamjet nga droni tregojnë përmasat e shkatërrimit: shtëpi të djegura, pyje të shkrumbuara dhe zona të tëra të mbuluara nga hiri. Fshati Bletëz, fqinj me Kullollasin, ka gjithashtu dëme të mëdha – dy shtëpi janë djegur plotësisht, ndërsa qindra bagëti janë humbur ose groposur nga banorët.

Në rrugën drejt një shtëpie të shkrumbuar, gazetarët takojnë një djalë të mitur. Ai tregon me lot në sy se ajo ishte shtëpia e tij. Pranë rrënojave qëndronte gjyshi i tij, me lot që nuk pushonin. “Gjithçka na është djegur. Nuk shpëtuam asgjë,” – thotë ai, ndërsa i mituri na tregon vendin ku dikur kishte dhomën e tij.

“Kam vetëm kujtime, por tani edhe ato janë djegur. Dhimbja më e madhe është se humbëm veglat e punës të xhaxhait tim,” – rrëfen ai duke shpërthyer sërish në lot.

Në këtë shtëpi jetonin tetë anëtarë. Fëmija thotë se nuk donte të largohej, tentoi të luftonte me flakët për të shpëtuar banesën, por u largua me forcë nga familjarët dhe banorët e tjerë për shkak të rrezikut të madh.

Banorët apelojnë për ndihmë të menjëhershme, si për strehim, ashtu edhe për ushqime, mjete pune dhe përkrahje psikologjike, ndërsa autoritetet vendore kanë nisur një proces evidentimi të dëmeve.