Pas qytetit të Kavajës, ku BKH kontrolloi ambientet e banesës së Elvis Rroshit dhe 4 personave të tjerë, mëngjesin e sotëm një njësi e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka mbërritur në qytetin e Elbasanit, për të kryer kontrollin e disa banesave.
Kontrollet janë kryer edhe me mbështetjen e Policisë së Qarkut. Bëhet fjalë për ekzekutimin e një vendimi penale të marrë nga Gjykata e Posacame, kontrollet janë kryer në ambientet e një biznesi privat, në një lokal dhe në tre banesa.
Deri në këtë fazë kontrollet janë duke u kryer dhe ende nuk dihet se kush janë personat që po targetohen nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Hetimi ndaj këtij rasti ka nisur disa ditë para zhvillimit të procesit të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa kontrollet po kryhen 7 ditë pasi procesi i votimit dhe numërimit është mbyllur në këtë qark, ku fituese me 10 mandate deputeti doli Partia Socialiste.
Mësohet se hetimi i SPAK është përqëndruar në akuzën e “Korrupsionit zgjedhor”, ndërsa gjatë ditës së sotme janë sekuestruar aparate telefonike, pajisje DVR dhe material të ndryshme.
Ky është operacioni i parë që SPAK, ndërhyn në qytetin e Elbasanit, megjithëse gjatë fushatës elektorale dhe ditës së zgjedhjeve të 11 Majit, Task-Forca e SPAK nuk shënoi në këtë qark asnjë rast të korrupsionit dhe manipulimit të vullnetit të zgjedhësve.


