20-vjeçari Renato Xyke është autori i vrasjes së 26-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi në Itali.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat vendase, të cilat shkruajnë se edhe autori i vrasjes është me origjinë shqiptare, banues në Santa Maria a Monte.

Arratisja e tij zgjati vetëm disa orë pas vrasjes dhe përfundoi në autostradën A1, në segmentin e Arezzo, disa qindra kilometra nga vendi ku ai kishte kryer krimin.

I riu u godit në qafë nga një plumb i qëlluar nga një ‘SUV’ që i ishte afruar paralelisht automjetit të tyre.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një sherri në një lokal në Capanne, në Montopoli Valdarno. I dyshuari, i njohur më parë për forcat e rendit, pas ngjarjes u arratis i vetëm me një Range Rover Evoque gri të errët. Ai më pas u ndalua nga policia rrugore në autostradën A1, në segmentin e Arezzo.

Janë duke u kryer verifikime për të sqaruar nëse ka pasur një ndjekje mes dy automjeteve. Kevin Muharremi jetonte në Fucecchio, ku punonte në një lavazh dhe servis automjetesh.

Vrasësi i dyshuar i Kevin Muharremit është tani në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në Piza.