Kryeministri Edi Rama ka ndarë një postim në rrjetet sociale teksa duket hapësira e liruar në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, të cilën e denoncoi pak ditë më parë si “tok e xanun”.

Rama shton se tani janë shpërndarë 8 grupe arkitektësh në territor, që do japin projekt-idetë e tyre për hapësirat urbane dikur të zëna, por tani të liruara nga aksioni i IKMT.

“Kjo hapësirë publike e 21 Dhjetorit (si të tjera në Tiranë sot, nesër e në vijim) nuk është më ‘tok e xanun’, por ndërkohë 8 grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor për të inventarizuar plagët urbane që pas pastrimit kërkojnë shërim, duke u rikthyer me projekte të reja komunitare për të cilat kemi marrë angazhimin e mbi 100 arkitektëve të mirënjohur ndërkombëtarë që punojnë edhe në Shqipëri, e që do të kontribuojnë falas me projekt-idetë e tyre”,– shprehet Rama.