Pas tragjedisë ku një 7-vjeçar humbi jetën në ujërat e Drinit të Zi, autoritetet në Dibër kanë kërkuar forcimin e masave të sigurisë përgjatë lumit, veçanërisht për shkak të ndryshimeve të menjëhershme të prurjeve.

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, është mbledhur Task-Forca për të diskutuar masat parandaluese dhe mënyrat e reagimit në rast të emergjencave përgjatë rrjedhës së Drinit të Zi.

Një nga kërkesat kryesore është që pala e Maqedonisë së Veriut të njoftojë paraprakisht autoritetet shqiptare për hapjen e portave të digës së Spiljes, në Dibër të Madhe. Sipas autoriteteve, një informacion i tillë do t’u mundësonte strukturave vendore dhe banorëve përgjatë lumit të merrnin masat e nevojshme përpara ndryshimit të nivelit të ujit.

Në mbledhje është kërkuar gjithashtu rritja dhe trajnimi i personelit të shërbimeve zjarrfikëse në bashkitë Dibër dhe Bulqizë, me qëllim përballimin më të shpejtë të situatave emergjente.

Në kuadër të masave parandaluese është propozuar edhe vendosja e tabelave informuese dhe sinjalizuese në rrugët që të çojnë drejt lumit. Tabelat do të shërbejnë për të paralajmëruar banorët dhe turistët për ndryshimet e papritura të nivelit dhe rrjedhës së ujit.

Autoritetet kanë kërkuar që edhe operatorët privatë që ushtrojnë aktivitet përgjatë Drinit të Zi të publikojnë informacionet mbi oraret e hapjes së portave dhe problematikat e mundshme që lidhen me prurjet.

Shqetësimi është shtuar edhe për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve në zonë. Sipas të dhënave të paraqitura në Task-Forcë, numri i turistëve pranë Drinit të Zi është rritur këtë vit me rreth 50% krahasuar me një vit më parë.

Për autoritetet, shtimi i vizitorëve e bën edhe më të domosdoshëm informimin në kohë, sinjalistikën dhe forcimin e kapaciteteve të emergjencave.

Pas ngjarjes tragjike, kërkesa kryesore është për një koordinim më të mirë mes strukturave shqiptare dhe autoriteteve përtej kufirit, me synim shmangien e rasteve të tjera të rënda përgjatë Drinit të Zi.