Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra gjatë mbledhjes së qeverisë.

Sala, e cila mori drejtimin e ministrisë në shtator të vitit 2025, ka bërë të ditur se do të vijojë angazhimet e saj profesionale në fushën e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.

Në një mesazh pas largimit, Sala e cilëson mbledhjen e sotme si të fundit për të si pjesë e kabinetit qeveritar.

Ajo shpjegon se vendimi lidhet me angazhime të reja ndërkombëtare në fushat ku ushtron ekspertizën e saj.

“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion.”-ka deklaruar ajo.

Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë në shtator 2025, pas një karriere të gjatë akademike dhe profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo është radiologe dhe ka punuar më parë në institucione si Universiteti i Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork dhe Policlinico Gemelli në Romë.

Gjatë një viti në krye të shëndetësisë, Sala shprehet se janë bërë hapa në sistemin shëndetësor, ndërsa një pjesë e projekteve sipas saj kanë nisur dhe pritet të vijojnë.

“Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.”-është shprehur ajo.

Në mesazhin e saj, Sala falënderon kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit shëndetësor.

Sala falënderon gjithashtu qytetarët që i janë drejtuar gjatë kohës në detyrë me sugjerime, kërkesa dhe problematika.

Ajo e sheh largimin nga posti ministror si një ndryshim në detyrë dhe jo si fund të angazhimit të saj në Shqipëri.

“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post”, shkruan Sala, duke shtuar se do të vijojë të kontribuojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit të saj profesional ndërkombëtar.