Simon Zereci është emëruar zyrtarisht në krye te Garda e Republikës së Shqipërisë, duke marrë drejtimin e institucionit pas periudhës si drejtues i komanduar që prej vitit 2025.
Ai kishte ushtruar funksionin e kreut të Gardës në mënyrë të përkohshme pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ermal Onuzi.
Zereci është një figurë me karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë. I lindur në Tiranë, ai ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.
Karrierën e tij ushtarake e ka nisur në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku ka mbajtur një sërë detyrash operacionale dhe drejtuese, përfshirë funksione në mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe njësitë speciale.
Që prej vitit 2013, ai ka shërbyer si komandant i Njësisë Speciale të Gardës.
Gjatë karrierës së tij, Zereci njihet për angazhimin e gjatë në detyra me rrezik të lartë, përfshirë edhe plagosjen në vitin 1998 gjatë shërbimit. Ai ka ndjekur gjithashtu trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së personaliteteve, përfshirë programe ndërkombëtare dhe teknika të avancuara vetëmbrojtjeje.
