Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka reaguar pas deklaratave të ministrit Blendi Gonxhja dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS , Taulant Balla, të cilët janë shprehur se pas protestave që po zhvillohen prej 34 ditësh mund të ketë ndikim nga Moska.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ambasada ruse është shprehur se deklarata të tilla shkaktojnë habi dhe ka theksuar se nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare bëjnë pretendime të ngjashme.

Sipas ambasadës, deklarata të tilla tregojnë se qeveria shqiptare po kërkon “armiq edhe aty ku nuk ka”, duke kundërshtuar akuzat për përfshirje apo ndikim rus në protestat e zhvilluara në Shqipëri.

Reagimi vjen në një moment tensionesh politike dhe protestash të vazhdueshme në Tiranë, ku përplasjet mes protestuesve dhe institucioneve kanë sjellë reagime të shumta nga politika.

Reagimi i plotë:
Deklaratat e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë B.Gonxhja dhe Deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë T.Balla në lidhje me “përfshirjen e Kremlinit” në protestat, që po zhvillohen në vend, ngjallin habi. Pretendime të ngjashme po shohim edhe në një numër mediash nga gazetarë të caktuar. Këto deklarata janë krejtësisht të pabaza.
❗️Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve.
Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit “ndikim dashakeq” të Rusisë. Ne bëjmë thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla dhe një përmbajtje nga kërkimi i armiqve aty, ku nuk ekzistojnë.