Avokatja dhe notarja shqiptaro-australiane Eva Buzo është rikthyer sërish në Vlorë për të realizuar një tjetër sfidë të veçantë sportive në ujërat e Jonit.

Këtë herë, ajo u nis nga Radhimë me destinacion ishullin e Sazanit, ku zhvilloi një notim sfidues rreth ishullit më të madh të Shqipërisë. E shoqëruar fillimisht nga anëtarë të stafit mbështetës dhe ekipit të sigurisë, Buzo vijoi më pas e vetme rrugëtimin e saj në det, duke përshkuar vijën bregdetare të Sazanit, e cila shtrihet në rreth 15 kilometra.

Sfida u zhvillua në kushte të hapura detare dhe kërkoi përgatitje të lartë fizike e psikologjike, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e sportistes në disiplinat e notit në distanca të gjata.

Nuk është hera e parë që Eva Buzo zgjedh Vlorën dhe bregdetin shqiptar për sfidat e saj sportive. Dy vite më parë, ajo tërhoqi vëmendjen e publikut brenda dhe jashtë vendit me një arritje të jashtëzakonshme, kur realizoi notimin nga brigjet e Italise drejt gadishullit të Karaburununit. Ky udhëtim i gjatë në ujëra të hapura u konsiderua një sukses i rëndësishëm personal dhe sportiv, duke vendosur një rekord në karrierën e saj, ndërsa shërbeu edhe si një promovim i bukur i natyrës, peizazheve dhe potencialit turistik të rivierës shqiptare.

Me rikthimin e saj në Vlorë dhe realizimin e kësaj sfide të re, Eva Buzo vazhdon të jetë një ambasadore e sportit të qëndrueshmërisë dhe një promovuese e denjë e bukurive të rralla që ofron bregdeti shqiptar.