Verilindja zbardhet nga dëbora. Reshjet nisen në orët e para të mëngjesit pas rënies së ndjeshme të temperaturave deri në minus 3 gradë Celsius.

Trashësia e dëborës varion nga 5 në 10 centimetra, por e shoqëruar me erë ka krijuar shtresa akulli në rrugë. Rruga e Kombit po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe po trajtohet me kripë në të gjithë gjatësinë e saj.

Aktualisht nuk ka probleme përsa i përket qarkullimit të mjeteve në Rrugën e Kombit nga Morini në Rrëshen.

Në rrugët nacionale që lidhin Kukësin me Hasin, Peshkopinë, Pukën, Shishtavecin etj., ka vështirësi për shkak të shtresave të akullit. Po punohet nga kompanitë sipërmarrëse për trajtimin e tyre me kripë. Probleme ka edhe në rrugët rurale në Kukës, Has e Tropojë.

Policia rrugore është në terren dhe po këshillon drejtuesit e mjeteve për kufizimin e shpejtësisë dhe kontrollin e pajisjeve dimërore të mjeteve. Sipas Komisionit të Emergjencave Civile, nuk ka probleme që paraqesin emergjenca.

I gjithë territori i qarkut furnizohet normalisht me energji elektrike, përjashtuar njësinë administrative Bicaj në bashkinë e Kukësit, për të cilën po punohet nga grupet e punës të OSHE për riparimin e defekteve.