Pas qarkut të Shkodrës, sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël te bagëtitë, është shfaqur edhe në Bulqizë.

Të paktën 150 krerë bagëti të imta kanë ngordhur në një nga fermat në fshatit Val, të Njësisë administrative Martanesh të Bashkisë. Ndërkohë, shërbimi veterinar Dibër ka kryer inspektimin pranë kësaj ferme në pronësi të blegtorit Bajram Mata, ku janë konstatuar rreth 150 krerë të imta të ngordhura ku dyshohet sëmundja e murtajës.

Aktualisht, janë marrë analizat, të cilët i kanë dërguar pranë institucionit përkatës në Tiranë dhe se janë në pritje të përgjigjeve të analiza për të përcaktuar shkakun e sëmundjes.

Kujtojmë se kjo sëmundje u shfaq fillimisht në një fermë mbarështimi dhish në Postribë të Shkodrës. Murtaja e ruminantëve nuk është një sëmundje e rrezikshme për njeriun, por është katastrofike për popullatën e të imtave.

Ky infeksion përhapet në mënyrë të shpejtë te kafshët, duke sjellë mortalitet 100% të tufës ku shfaqet.