Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tregoi alarmin që ngriti kongresmeni amerikan Keith Self.
“Kur kemi qenë në takim bashkë me zotin Sali Berisha, me zotin Keith Self, tha se “nëqoftëse mbaron shpejt ose do të zgjidhet çështja e Ukrainës, do t’i vijë radha Ballkanit, por mos prisni që të ketë po të njëjtat qëndrime siç kanë qenë më përpara”. Pra, ky është një alarm, por ne nuk duam ta lexojmë këtë alarm. Sepse qendrat e vendimmarrjes së pushtetit ekzekutiv shikojnë më tepër interesin e pushtetit dhe për të mos i dhënë asnjë mundësi zhvillimi normal as Shqipërisë, as shqiptarëve dhe as interesit tonë kombëtar. Ky është një problem i madh sidomos për Tiranën”, tha Mediu.
“Unë e kam ngritur këtë alarm me kohë. Pse Serbia investon në mbrojtje mbi 3% të buxhetit, në një kohë që nuk ka asnjë kërcënim dhe është në marrëdhënie me Kinën dhe me Rusinë? Të njëjtin konstatim kishin edhe kongresmenët në dëgjesën që u bë. Në një kohë që Shqipëria, nga ana tjetër, ka një problem shumë të madh të korrupsionit, të trafikut të drogës, të mungesës së lirisë së zgjedhjeve etj. Ndërsa Serbia ka mbështetje gjeopolitike shumë herë më të përcaktuar”, shtoi Mediu.
