Një ditë pas aksidentit tragjik në Gjirin e Ksamilit, ku humbi jetën 20-vjeçari Albiano Kreçi, policia kufitare ka nisur largimin e të gjitha mjeteve lundruese që ndodheshin në zonën e ngjarjes.
Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, rreth orës 18:30, në zonën e Gjirit të Ksamilit. Sipas të dhënave paraprake, i riu vuante prej vitesh nga diabeti, një sëmundje me të cilën ishte diagnostikuar që në moshën 15-vjeçare. Mësohet se prej rreth dy vitesh ai trajtohej rregullisht me insulinë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pak para se të përdorte mjetin lundrues, 22-vjeçari kishte marrë dozën e insulinës. Sipas specialistëve të shëndetësisë, ky faktor mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij fizike dhe në aftësinë për të kontrolluar mjetin në momentet para aksidentit.
Pamjet e incidentit, të cilat janë publikuar në rrjet, janë filmuar nga një velierë e huaj që ndodhej e ankoruar në Gjirin e Ksamilit. Në video shfaqen momentet e përplasjes me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, ngjarje që po hetohet për të përcaktuar me saktësi dinamikën dhe përgjegjësitë.
