Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme të Apelit, pas kalimit në paraburgimin e Durrësit, për të kërkuar zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg” të vendosur ndaj tij. Në të njëjtën kohë, është parë të mbërrijë edhe avokati i tij amerikan, Joshua Roberts, që do ta përfaqësojë atë gjatë këtij procesi ligjor.

Seanca e Apelit për Veliajn do të mbahet në orën 10:00, ndërsa gjyqtari që do ta drejtojë është Ngert Pëllumbi. Kryebashkiaku i Tiranës është arrestuar në kuadër të hetimeve për akuzat për shpërdorim të detyrës, korrupsion dhe abuzime me tendera publikë, lidhur me disa projekte të zhvillimit urban dhe të infrastrukturës në kryeqytet. Veliaj është akuzuar për favore ndaj disa kompanive private që kanë përfituar nga kontrata të dyshimta të financuara nga buxheti i shtetit.

Në kërkesën e tij për zbutjen e masës së sigurisë, Veliaj ka argumentuar se nuk ka mundësi për t’u larguar nga vendi, pasi është një figurë publike dhe ka një lidhje të fortë me Shqipërinë dhe qytetarët. Veliaj gjithashtu ka theksuar se po bashkëpunon me hetimet dhe se nuk ka rrezik që të ndikojë në procesin ligjor.

Seanca pritet të sjellë zhvillime të tjera të rëndësishme në këtë dosje, ndërkohë që mbështetësit e Veliajt janë shprehur se e konsiderojnë këtë një përpjekje politike për ta diskredituar atë.