Në dosjen penale ndaj Inez Hajrullës, ku i përfshirë rezulton të jetë edhe ish-shefi i krimeve, Rezart Kuçi, SPAK ka zbuluar lidhjet që ky i fundit kishte me anëtarët e grupit kriminal.

Më datë 11.01.2021, Rezart Kuçi i shkruan Ervis Matodashaj:
Rezart Kuçi: “U shkëmbeva me Audin… prandaj…”
Ervis Matodashaj: “Me kë Audi, vlla?”
Rezart Kuçi: “Me atë Audin për atentat… që mban ti… me targa angleze.”

Nga analiza e kësaj bisede, rezulton se Rezart Kuçi kishte dijeni që Ervis Matodashaj dispononte një automjet të markës “Audi”, me targa angleze, dhe se ky mjet ishte i destinuar për atentat.

Më datë 13.02.2021, Rezart Kuçi i shkruan sërish Ervis Matodashajt, duke e paralajmëruar për një kontroll policor dhe duke i dhënë udhëzime se si të sillej:

Rezart Kuçi: “Ik që aty, o budalla… se më kanë dhënë urdhër me ardh me ju marrë… Hahaha… Ç’do ti aty? Është alarmuar gjithë dynjaja… Se merrem unë, po vij aty… Ai boti, flet gjë po e pyeta unë? Rri serioz kur të vij unë… Ka dhënë urdhër i madhi… Mos e ça… se e kam unë situatën në dorë. Kujdes, rrini serioz, mos jepni të njohme… Ik direkt te shtëpia jote, mos rri rrugëve… Shko në shtëpi, jo këtu poshtë.”