Me afrimin e festës së Pashkët Ortodokse, është vërejtur një rritje e ndjeshme e qarkullimit në pikat kufitare të Kakavijë dhe Kapshticë, përgjatë kufirit me Greqinë. Si çdo vit, shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj po kthehen në vendlindje për të kaluar festat pranë familjarëve.
Të dhënat e fundit nga autoritetet kufitare tregojnë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar mbi 6 mijë qytetarë në hyrje dhe dalje, me një dominim të qartë të hyrjeve drejt Shqipërisë. Paralelisht, është regjistruar edhe një numër i konsiderueshëm automjetesh, duke reflektuar fluksin në rritje të udhëtarëve.
Lëvizje më të dendura janë konstatuar edhe në Kapshticë gjatë mbrëmjes së 9 prillit, ku shumë persona kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Shqipërisë për festat. Për të menaxhuar situatën, pala shqiptare ka rritur numrin e sporteleve në funksion, duke favorizuar hyrjet dhe duke shmangur krijimin e radhëve të gjata.
Nga ana tjetër, në territorin grek situata paraqitet më e ngarkuar, me udhëtarë që raportojnë kohë pritjeje deri në 90 minuta. Autoritetet mbeten në monitorim të vazhdueshëm dhe paralajmërojnë se në ditët në vijim pritet një fluks edhe më i lartë në këto pika kufitare.
