Safet Gjici, ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit dhe Alma Kaçi kanë ankimuar vendimin e GJKKO-së të cilët i shpall fajtorë për “Korrupsion aktiv dhe pasiv të funsionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor”.

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka dalë me një komunikim në lidhje më ankimimin duke thënë se seanca do të mbahet muajin tjetër rreth datës 13.

Seanca që do të mbahet do të jetë publike dhe trupi gjykues do të përbëhet nga gjyqtari Florjan Kalaja, Miliana Muça, dhe Igerta Hysi.

Komunikimi për mediat:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 13.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 33 akti, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankuesve/të pandehur S.Gj., A.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtor të pandehurit për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Sipas shortit të datës 14.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtari Florjan Kalaja (kryesues), Miliana Muça (Anëtare), dhe Igerta Hysi (Anëtare). Seanca gjyqësore publike është caktuar për më datë 13.06.2024, ora 09:00.