Mario Mërkuri ka folur për mediat italiane lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi familjen e tij, ku djali 20-vjeçar, Rikardo Mërkuri, pas një episodi të dhunshëm ndaj nënës së tij, humbi jetën duke u mbytur në det.
Sipas rrëfimit të të atit, i riu dyshohet se ndërmori aktin ekstrem pasi besoi se gjatë konfliktit në banesë i kishte marrë jetën së ëmës. “Ai mendoi se ajo kishte ndërruar jetë. Ishte i bindur për këtë”, është shprehur Mario Mërkuri, duke lënë të kuptohet se gjithçka ndodhi në një moment tronditjeje dhe paniku.
Ngjarja u regjistrua në mbrëmjen e 22 shkurtit, vetëm pak orë pasi familja kishte festuar ditëlindjen e Rikardos. Pas darkës, babai ishte larguar nga shtëpia dhe, sipas tij, mes nënës dhe djalit shpërtheu një debat i ashpër që degradoi në dhunë fizike. Gruaja, Albana Kastriot, u gjet më pas pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë.
Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Maceratës dhe më pas në spitalin rajonal “Torrette” në Ankona, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje maksilofaciale. Gjendja e saj shëndetësore, sipas familjarëve, është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Babai thekson se marrëdhënia mes nënës dhe djalit ka qenë e fortë, pavarësisht debateve të herëpashershme. “Ajo e donte pa kushte dhe gjithmonë i dilte në mbrojtje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se asgjë nuk paralajmëronte një përfundim kaq tragjik.
Ndërkohë, trupi i 20-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit të Civitanovës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Familja, me origjinë shqiptare dhe prej vitesh residente në Pollenza, njihet në komunitetin lokal. Përveç prindërve, Rikardo lë pas edhe vëllain e madh, Alessio, si dhe gjyshen Bedrie.
