Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar sërish për platformën “Pasqyra Albania” që kryeministri Rama prezantoi ditën e djeshme pas takimit 6 orësh me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve. Berisha shprehu se “Pasqyra Albania” është thjeshtë një mur për të mashtruar qytetarët, pasi sipas tij do të jetë “dështim si Diella”. Më tej kreu i PD tha se Pasqyra është mashtrimi i fundit i Ramës, teksa shtoi se kryesocialisti po e sheh fundin e tij me sy.
“Pasqyra është që tani e verbër, është një mur për të mashtruar qytetarët. Edi Rama, i damkosur botërisht dhe kombëtarisht, besoj e keni marrë vesh, temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Edi Ramës janë më të larta se temperaturat e mjedisit. Urrejtja kombëtare ndaj tij, nuk ka termometër që e mat. Por e tillë po bëhet urrejtja ndërkombëtare ndaj tij. Dhe ky njëherë nxjerr Besën, herë tjetër nxjerr Ndorjen, herë tjetër nxjerr Kanunin, tani nxori Pasqyrën.
Kush i beson atij? Cili korrupsion, më thoni ju mua, cilin akt korruptiv parandaloi Diella? Zero. As nuk ekziston edhe një çip në përbërjen e saj që mund t’i japë një mundësi të tillë. Zero. Ka zero urtësi artificiale Diella. Pra, Pasqyra e Edi Ramës është mashtrimi i fundit i tij sepse siç e shihni është i rrënuar, besoj se e keni parë. Nuk ka. Është i rrënuar. E vërteta, duhet ta pranojmë, se kjo protestë ia ka gërryer shpirtin, e ka boshatisur, e ka zvetënuar. Ai, kudo që del, del një njeri i transformuar tërësisht sepse po sheh fundin e tij me sy.
Çdo natë, ky njeri sheh veten në qeli. Çdo natë, ky njeri sheh Lubinë pentito. Çdo natë, ky njeri sheh koordinatorët duke e denoncuar. Ky është i marrë fund. Ndaj dhe beson se me këto Pasqyrat, Diellat, do mund të mashtrojë shqiptarët. Zinxhiri i mashtrimeve të tij ka marrë fund. Asgjë, ai është një mur, një perde që kërkon t’u vërë para syve të qytetarëve se gjoja po komunikojnë në një kohë kur ka zero të vërtetë brenda. Por do vjedhin. Prapë është vjedhja. 6 milionë vodhën për Diellën, edhe këtu do vjedhin nja 4-5 milionë. Vjedhja nuk ka të ndalur aty. E vetmja gjë që 24 orë në 24 nuk ndalet, është vjedhja tek ata”, tha Berisha.
