Gjykata e Posaçme ka vendosur në sekuestro  491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kapin vlerën rreth 150 milionë euro, pasi dyshohet se ishin përfituar nga aktivitet kriminal. Pasuritë i përkisnin Eldi dizdarit, Dritan Gjikës dhe Shpëtim Aliut, pjesëtarë të grupit kriminal që SPAK goditi së fundmi.  Të tre së bashku, ata trafikonin tonelata me kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Evropian.

Eldi Dizdarit, kreu i një karteli droge, i njohur ndër vite për përfshirjen e tij në tregun e kokainës, iu sekuestrua një sipërfaqe toke 198 metër katror, një garazh me sipërfaqe 14.3 metër katror dhe tre llogari bankare, në një bankë të nivelit të dytë. Dritan Gjikës iu sekuestrua po ashtu një sipërfaqe toke 12 mijë metra katrorë në Shirokë për ndërtimin e një kompleksi rezidencial banimi, shërbimi dhe hotelerie, si dhe 4 llogari bankare.

Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka identifikuar vetëm 491 pasuri të paligjshme, të cilat janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës. SPAK është duke vijuar hetimet për identifikimin e anëtarëve të tjerë të këtij rrjeti kriminal, si dhe po verifikon pasuritë e tjera të këtyre personave.