Një kapitull i ri po shkruhet në historinë e Kosovës. Veriu nuk është më i ndarë mes frikës dhe strukturave paralele serbe.
Grida Duma ishte në Banjskë, duke sjellë prapaskenat e sulmit terrorist të serbëve….
“Ata territore që i ke në letër, por nuk i zotëron. Në harta, veriu ka qenë gjithmonë Kosovë. Por në përditshmërinë e tij, ka qenë një vend i huaj: një hapësirë ku shteti nuk hynte, ku ligji nuk dëgjohej, ku flamuri valvitej vetëm në fletë zyrtare, por jo në rrugë. Për shumë vite, veriu ishte një kufi i padukshëm, një botë që i ngjante Kosovës vetëm nga larg.
Nga afër, ajo ishte një tjetër histori: një territor i mbuluar nga sirenat, i mbajtur peng nga frika dhe nga strukturat paralele. Në këtë tokë, Kosova ekzistonte vetëm si ëndërr.
Dhe megjithatë, historia ka momente kur ëndrrat kërkojnë të bëhen realitet. Më 24 shtator 2023, Banjska u bë skena e një përplasjeje që nuk ishte si të tjerat. Në këtë fshat të vogël, u provua fuqia dhe guximi i shtetit të Kosovës. Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin. Ai dha jetën e tij për të treguar se këtu, veriu nuk mund të ishte më një zonë e lirë për strukturat paralele. Sakrifica e tij nuk ishte e kotë. Ajo rrëzoi mitin se këtu shteti nuk guxon.“- tha Duma.