Partia Demokratike ka shprehur shqetësim për mënyrën se si po zhvillohet procesi i votimit nga jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Jozefina Topalli, drejtuesja politike e PD-së për Diasporën, ka renditur një sërë problematikash që, sipas saj, cënojnë integritetin e procesit zgjedhor.

“Një ndër problematikat është mos shkuarja e zarfit në adresën e duhur, në disa raste ka munguar fleta e votimit, ndërsa zarfet janë hedhur në oborre ose i kanë marrë persona të tjerë, gjë që është e paligjshme”, u shpreh Topalli.

Ndërkohë, juristët e PD pranë KQZ-së kanë ngritur alarmin për atë që ata e konsiderojnë një “krim zgjedhor” në Greqi, konkretisht në Kretë. Sipas tyre, disa përfaqësues të OJF-ve atje kanë marrë në dorëzim zarfet nëpërmjet marrëveshjes me kompaninë DHL, gjë që është kundër rregullave dhe ligjit.

Franci Nuri, përfaqësues ligjor i PD-së, tha se pret që SPAK të nisë një hetim penal mbi rastet në fjalë. Nëse kjo nuk ndodh, PD paralajmëron se do të bëjë vetë kallëzim penal.

Megjithatë, opozita nuk ka paralajmëruar një kontestim të përgjithshëm të procesit, duke kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ndërhyjë dhe të adresojë problematikat në kohë.

“T’i kërkojë DHL-së të përmbushë detyrimet ligjore dhe logjistike. Shkelja e afateve dhe standardeve ligjore cenon të drejtën e votës dhe integritetin e zgjedhjeve”, përfundoi Topalli.