Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar garën e pritshme për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke konfirmuar se primaret mbeten në fuqi. Berisha tha se vendimet për kandidaturat do të merren në javët e ardhshme, ndërsa nuk përjashtoi asnjë skenar për garën në kryeqytet. Partia Demokratike pritet të nisë së shpejti përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa gara për Bashkinë e Tiranës mbetet një prej çështjeve kryesore në diskutim brenda opozitës.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se nuk ka asnjë vendim për përjashtimin e primareve nga procesi i përzgjedhjes së kandidatëve.

“Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka”, u shpreh Berisha.

Ai tha se puna për përgatitjet zgjedhore ka nisur dhe se hapja zyrtare e garës do të bëhet në një moment të afërt.

“PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Çështja e hapjes së garës, ndonëse në njëfarë mënyre nuk është se nuk është punuar, është punuar, por po vazhdon puna dhe në momentin më të parë do ta shpallim”, deklaroi kreu i PD-së.

I pyetur nëse PD mund të garojë me një kandidat të pavarur për Bashkinë e Tiranës apo nëse do të shqyrtojë kandidatura brenda strukturave të partisë, Berisha tha se gjithçka do të vendoset në javët e ardhshme. Në lidhje me emrin e Ilir Alimehmetit, i cili është përmendur si një prej kandidatëve potencialë për Tiranën, Berisha u shpreh pozitivisht për figurën e tij, por nuk dha një konfirmim përfundimtar.

“Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe deklaratat e deputetit socialist Erion Braçe, i cili ka shprehur gatishmërinë për të hyrë në garën për Bashkinë e Tiranës dhe ka propozuar që kandidati i Partisë Socialiste të përcaktohet përmes votës së socialistëve. Kreu i PD-së e cilësoi këtë situatë si një përplasje të brendshme brenda Partisë Socialiste.

“Po pse do të komentoj unë kur ata shkojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit? Se a nuk u shpall njëherë kjo Korba e Covid-it si kandidate? U shpall zyrtarisht nga Rama. Tani, e kupton që kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan”, tha Berisha./ Top Channel