Ish-kandidati i primareve të Partisë Demokratike, Hysen Kadiu, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Kavajë, ku PD-ja doli forcë fituese. Edhe pse ishte më i votuari në primaret e qarkut Tiranë, Kadiu u përjashtua nga lista përfundimtare e kandidatëve, çka e bëri të tërhiqej nga gara.
Në një deklaratë publike, Kadiu shprehet se qytetarët e Kavajës i dhanë përgjigjen e merituar jo vetëm kundërshtarit politik, por edhe atyre që, sipas tij, morën vende në lista përmes pazareve politike.
“Kavaja tregoi se vullneti për ndryshim triumfon përballë çdo padrejtësie,” shkruan ai. Sipas Kadiut, fitorja është meritë e atyre demokratëve që punuan me përkushtim dhe nuk u përfshinë në lojëra politike.
Ai vlerëson qytetin e Kavajës si simbol i demokracisë që nga vitet ’90, duke nënvizuar se vullneti për ndryshim nuk mund të ndalet.