“Konferenca ime e fundit si kryetar i opozitës. Do të jem kryeministër më 12 maj,” deklaroi Sali Berisha pak ditë para zgjedhjeve. Por 12 maji erdhi dhe shkoi, pa e rikthyer atë në krye të qeverisë dhe pa e çuar opozitën në pushtet.
Pas zgjedhjeve, në selinë blu është krijuar një realitet i ri politik, shoqëruar me heshtje, mungesë entuziazmi dhe mungesë zyrtarësh në zyrat e PD-së. Madje edhe banderola me mbishkrimin “Shqipëria Madhështore” është hequr nga fasada e selisë.
Berisha ka zgjedhur të vazhdojë betejën politike përmes denoncimit të procesit zgjedhor, të cilin e cilëson si një “farsë”.
“Zgjedhjet ishin farsë,” u shpreh ai në një nga daljet publike pas rezultatit.
Ndërkohë, figura si Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja, të cilët nuk arritën të fitonin, janë parë duke marrë pjesë në numërimin e votave në KQZ, me shpresën për një ndryshim rezultati apo kthesë në karrierën e tyre politike.
Në një atmosferë të zymtë, Berisha mbetet figura më aktive në selinë e Partisë Demokratike. Edhe këtë të shtunë, ai nuk mungoi në komunikimin me mediat. I veshur me atlete, ndryshe nga zakonisht, ai u shfaq më i çliruar, duke i lejuar vetes një moment pushimi pas konferencës.
“Ju uroj një fundjavë të mbarë,” tha Berisha, duke mbyllur daljen e radhës para gazetarëve.
