Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat masive që po zhvillohen në Iran kundër regjimit teokratik të ajetullahëve.
Në një reagim publik, Berisha thekson se kryengritja e popullit iranian po përballet me dhunë të rëndë shtetërore, ndërsa raportohet për dhjetëra viktima si pasojë e represionit të autoriteteve. Ai ka dënuar ashpër veprimet e regjimit iranian ndaj protestuesve paqësorë.
Berisha ka vënë në dukje gjithashtu qëndrimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lidhur me zhvillimet në Iran, duke e cilësuar atë si mbështetës të aspiratave të popullit iranian për liri.
Në përfundim, kreu i PD-së ka shprehur solidaritetin e plotë të Partisë Demokratike me qytetarët iranianë në përpjekjen e tyre për demokraci, liri dhe të drejta themelore.
Deklarata e plotë:
Prej dy javësh në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit, populli iranian është ngritur në protesta të fuqishme kundër regjimit obskurantist të ajetullahëve. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, opozita më e fuqishme e popullit iranian që lufton prej dekadash për një Iran të lirë dhe demokratik, po udhëheq këtë kryengritje të fuqishme. Në disa qytete të vendit pushteti është në duart e kryengritësve. Ajetullahët kanë marrë mercenarë nga vende të tjera. Garda Islamike dhe mercenarët kanë hapur zjarr kundër protestuesve dhe deri sot janë mbi 44 martirë të rënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit të tyre.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar ajetullahët: “Mos qëlloni, se do t’ju qëllojmë.”
PDSh, duke dënuar me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin shtetëror të regjimit diktatorial obskurantist të Teheranit ndaj kryengritësve, ju uron kryengritësve trima fitoren për një Iran të lirë, demokratik dhe sovran.
