Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar pas hedhjes së molotovëve gjatë protestës së demokratëve. Ai shkruan në Facebook se “Partia Demokratike i hedh molotovët me flamunjtë e BE dhe gjermanë në duar”, pavarësisht thirrjeve të këtyre të fundit për protesta jo të dhunshme.
“Ndërsa anëtarët e Parlamentit Europian apo të Bundestagut gjerman bëjnë thirrje se ‘protestat e dhunshme s’kanë vend në demokraci’, Partia Demokratike i hedh molotovët me flamunjtë e BE dhe gjermanë në duar“, shkruan Balla.
Protesta nisi para kryeministrisë, por sot nuk pati fjalime nga anëtarë dhe figura të PD, teksa Sali Berisha dhe deputetët u larguan menjëherë pas përshkallëzimit të situatës. Fillimisht u hodh molotov dhe fishekzjarrë drejt kryeministrisë, e më pas aksioni u zhvendos drejt godinave të ministrive, selisë së Ps-së dhe bashkisë.




