Pas mungesës në dy seancat e fundit plenare, deputetët e Partisë Demokratike janë rikthyer sot në Kuvend. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, së bashku me grupin parlamentar demokrat, është nisur drejt Parlamentit për të marrë pjesë në punimet e seancës.

Vendimi për t’i dhënë fund bojkotit u mor pas diskutimeve të gjata brenda Grupit Parlamentar të PD-së. Deputetët u njoftuan për pjesëmarrjen në seancë përmes një mesazhi të dërguar nga kryetari i grupit, Gazmend Bardhi, i cili u kërkoi të ishin të pranishëm në Kuvend.

Rikthimi i opozitës në sallën e Parlamentit vjen në një klimë të tensionuar politike. Jashtë godinës së Kuvendit janë mbledhur qytetarë në protestë kundër klasës politike, ndërsa gjatë tubimit janë shënuar edhe incidente me automjete zyrtare, si dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.