Kryetari i rizgjedhur i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se procesi i votimit në të gjitha degët e PD-së u zhvillua në mënyrë shembullore.

Në deklaratën për mediat pas riafirmimit në krye të partisë, Berisha falënderoi demokratët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, ndërsa lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama dije mirë se për këtë ushtri 40 mijë, ti ke zero legjitimitet. Kudo të shkosh, edhe në hënë dhe prapa diellit, shkon një sharlatan. Shkon një njeri pa legjitimitet”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se kryeministri do të trajtohet si “i delegjitimuar” deri në largimin nga pushteti, ndërsa e cilësoi atë “kufomë politike”.

Sipas Berishës, demokratët me votën e tyre kanë mbështetur një Parti Demokratike “më moderne, me vizion të qartë dhe më të vendosur se kurrë në misionin e saj politik”.

Pjesë nga fjala e Berishës;

Por unë sonte dua t’u them të gjithë këtyre dhjetëra mijëra demokratëve se për muam në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 gjer sot, ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore.
Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh.
Imagjinoni ju, rreth 40 mijë gra dhe burra, djem dhe vajza politikë që ngrihen fuqishëm pas betejash të fuqishme për të vazhduar luftën tonë gjer në fitore të plotë.
Ky është një besim i madh i të gjithë ju që morët pjesë sot në votim, në forcën, në vizionin, në vendosmërinë e PD për të përmbysur diktaturën e dytë në Shqipëri.
Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj.
Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë.
Keni lënë pa gjumë mafien e tmerrshme të fjalës së lirë, e cila ka dy muaj që në një agresion mediatik të paparë bën gjithçka të përbaltë këtë proces më të fuqishmin që ka njohur PD në tërë ekzistencën e saj.
Bënë gjithçka t’u mashtrojnë, t’u dekurajojnë.
Bënë gjithçka në zbatim të porosive të kreut të narkoshtetit.
Garantoj mafien qeveritare dhe vasalët e saj se lufta jonë është absolutisht e pakompromis.
Se fitorja jonë është e pashmangshme.
Se ky proces zgjedhor, që mbyllet sot, ka nxjerrë PD-në më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj.