Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas vendimit të Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë në konsultimet e thirrura nga Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ironizoi qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar selinë e PD-së si depoja e molotovëve dhe duke kujtuar bojkotet e mëparshme të demokratëve në proceset politike dhe zgjedhore.

Balla theksoi se konsultimet me partitë politike janë një procedurë e ndjekur nga presidentët e Republikës përpara përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Ai shprehu shpresën që Partia Demokratike të ndryshojë qëndrim dhe të marrë pjesë në këtë proces.

“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot “depoja e molotovëve”-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arësyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj. Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027. Faleminderit!”, shkruan Balla.