Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka komentuar zhvillimet e fundit politike brenda partisë, duke i përgjigjur atyre që e akuzojnë për reagimin e tij të vonuar.

Në një postim në rrjetet sociale, Spaho e ka cilësuar drejtimin aktual të PD-së si “pulë pa kokë”, duke theksuar se kritikave të tij nuk i takojnë individë të veçantë, por parimeve dhe idealeve mbi të cilat është ndërtuar PD-ja.

Sipas Spahos, Partia Demokratike po kalon një moment të vështirë, ku mungon qartësia dhe fokusi. Ai nënvizon se në 35 vite angazhim politik, ai nuk ka tradhtuar asnjëherë parimet e tij dhe ka mbajtur besnikëri ndaj idealeve, edhe kur kjo i ka kushtuar politikisht.

Një nga momentet që Spaho ka përmendur është takimi me liderin e PD-së, Sali Berisha, në shtator 2021, kur filloi “Foltorja”. Spaho thotë se në atë takim i premtuar mbështetje të plotë Berishës, por gjithashtu kishte shprehur dy shqetësime për lëvizjen që po nisi.

Reagimi i plotë:

Kritikëve të mi!

Shikoj shumë militantë që më ofendojnë pa fund në Facebook për qëndrimet që po mbaj dhe kritikat ndaj udhëheqjes së PD-së, e cila, sipas meje, po sillet si pulë pa kokë.
Duket se për militantët jam tradhtar. Megjithatë, dua t’ju pyes pse nuk më quajtët tradhtar:

Në shtator 2021, kur ndër të parët u rreshtova në krah të Foltores?

Në tetor 2021, kur së bashku me katër deputetë të tjerë, përfshirë Sali Berishën, u përjashtova nga PD-ja? Të gjithë në 2025 u futën në listë të mbyllur. Unë jo, dhe nuk u ankova.

Kur u përjashtova 50 ditë nga Parlamenti, sa rrallë ndonjë tjetër?

Kur i rashë bilbilit në shenjë proteste për 6 orë në Kuvend, duke shkelur mbi reputacionin tim, sepse besova se do ta rrëzonim Ramën?

Kur mbroja “non grata”-n dhe kritikoja Ambasadën dhe Administratën Amerikane, megjithëse reputacionin e kisha si proamerikan i thekur?

Kur çdo ditë, së bashku me 5–6 deputetë, shkoja në protestë te Rruga e Shpresës dhe flisja më shumë se kushdo tjetër? Të tjerë “tanët” kishin ndrojtje të vinin.

Kur dola i dyti me vota në primare në gjithë grupin parlamentar dhe nuk u futa në listë të mbyllur, dhe prapë nuk u ankova?

Në 35 vjet nuk e kam dredhur asnjëherë dhe i kam qëndruar besnik jo emrave, por idealeve të PD-së.

Në shtator 2021, kur filloi Foltorja, jam takuar me zotin Berisha në zyrën e tij, me kërkesën e tij për të mbështetur Foltoren. I premtova mbështetje të plotë, si dhe i shpreha dy shqetësime:

“E ke seriozisht këtë lëvizje që po fillon?” M’u përgjigj: PO. Më vonë kuptova se Foltorja u braktis për interesa që nuk lidheshin me ato me të cilat u krijua.

I sugjerova të mos merrej me amerikanët, pavarësisht se të kishin rënë në qafë. Të merreshim me partinë, ta forconim dhe të ktheheshim në alternativë qeverisëse. Nuk m’u përgjigj.

Së fundi: burrat mbahen nga fjala që japin, sidomos kur janë në moshë të thyer. Akoma më keq kur të hanë pas krahëve. Flas për burra, jo për flamurka.

Kritikat e mia janë të drejta dhe bazohen mbi gabimet 13-vjeçare që kemi bërë së bashku. Që të fitojmë, duhet strategji e re, njerëz të përkushtuar dhe punë e pafund në bazë për të ngritur PD-në, e cila sot duket e vënë përfund.

Nuk është sot hera e parë që flas. Mendimet e mia prej më shumë se dy vjetësh i kanë me shkrim Sali Berisha dhe Flamur Noka. Kritikat ndaj këtij të fundit m’u kthyen në bumerang. Besova se Foltorja ishte e sinqertë.