Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar se opozita do të vijojë betejën për rikthimin e votës së lirë dhe rotacionin politik në vend.
Në fjalën e tij hapëse, Berisha tha se Partia Demokratike mbetet një forcë politike e pamposhtur, duke theksuar se gjatë tre viteve të fundit ka organizuar mbi 400 protesta kundër qeverisë.
“PD vazhdon me të gjithë potencialin e saj misionin e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve dhe, natyrisht, rikthimin në pushtet, rotacionin e pushtetit. Kjo verë e nxehtë në temperatura është edhe më e nxehtë në rrafshin politik”, u shpreh ai.
Berisha vlerësoi mbështetësit e opozitës që, sipas tij, protestojnë çdo natë në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një betejë kundër asaj që ai e quajti “narko-diktaturë”.
“Le t’u shprehim nderimin më të madh dhjetëra mijëra qytetarëve që çdo natë luftojnë me diktaturën, me narko-diktaturën, ndër më të egrat dhe më të shëmtuarat në Europë dhe në botë”, deklaroi kreu demokrat.
Ai shtoi se protestat e zhvilluara në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit përfaqësojnë, sipas tij, një kauzë të drejtë në mbrojtje të demokracisë.
Sipas Berishës, Partia Demokratike ka zhvilluar mbi 400 protesta dhe qindra aksione politike gjatë tre viteve të fundit, ndërsa pretendoi se opozita ka arritur të denoncojë në arenën ndërkombëtare atë që ai e cilësoi si një farsë elektorale.
