Pedagogët e universiteteve publike dhe private iu bashkuan për të tretën ditë radhazi protestës së studentëve, duke kundërshtuar deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, se qindra prej tyre janë të lidhur me këtë forcë politike.
Akademikët theksuan se organizimi i tyre është i pavarur dhe se mbështetja për studentët nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por ndaj të gjithë klasës politike, përfshirë edhe opozitën.
Pedagogët u mblodhën fillimisht pranë Universitetit Politeknik, ndërsa në universitete vijon bojkoti i mësimit. Ata e cilësuan sheshin e protestës si “auditorin më të madh të demokracisë”, përpara se të ndërprisnin fjalimet dhe të marshonin drejt studentëve të mbledhur pranë Parlamentit.
Gjatë protestës, Mimoza Manxhari akuzoi qeverinë se po përpiqet të zhvlerësojë kauzën e protestuesve, duke e paraqitur atë si një tubim të dhunshëm.
“Qeveria përpiqet ta delegjitimojë këtë protestë duke e paraqitur si protestë huliganësh. Jo, kjo është një protestë qytetarësh që kërkojnë të rikthejnë besimin te vota dhe te mundësia reale për të ndryshuar qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve”, u shpreh Manxhari.
Ndërsa Ervin Goci kërkoi që pedagogët të kenë një rol më të rëndësishëm në organizimin dhe drejtimin e protestës.
“Mendoj që pedagogët duhet të luanin një rol akoma më drejtues, më udhëheqës. U bëj thirrje që të jenë më shumë”, deklaroi ai.
Marshimi vijoi përgjatë Rrugës së Elbasanit dhe më pas Unazës së Vogël, deri në zonën pranë Akademisë së Shkencave, ku ndodheshin studentët. Pas mbërritjes së pedagogëve, një pjesë e protestuesve çanë kordonin metalik dhe iu afruan efektivëve të policisë. Situata e tensionuar zgjati për disa minuta.
Përveç kërkesave të studentëve, një tjetër çështje e ngritur gjatë protestës ishte deklarata e Sali Berishës, i cili një ditë më parë pretendoi se “qindra pedagogët, të lidhur me Partinë Demokratike, janë sot krahas të tjerëve në protestë”.
Pedagogët e kundërshtuan këtë deklaratë, duke nënvizuar se pjesëmarrja e tyre nuk është rezultat i ndikimit të ndonjë force politike. Enkeleda Olldashi deklaroi se, sipas saj, si Partia Demokratike, ashtu edhe Partia Socialiste po përpiqen ta dobësojnë protestën.
“Të dyja forcat politike, PD dhe PS, po përpiqen ta minojnë, secila në formën e saj. Kështu që kjo është një formë minimi, por duhet të kuptojnë që politika vetëm rininë nuk e minon dot”, tha Olldashi.
Në të njëjtën linjë, Maksim Meço theksoi se kauza e studentëve përfshin të gjithë klasën politike dhe kërkon ndryshime më të gjera në sistem.
“Ne mbështesim kauzën e studentëve dhe kauza e studentëve përfshin gjithë klasën politike dhe një riformatim të sistemit, ku përfshihet edhe kreu i opozitës. Ai bën punën e vet, ndoshta ai kërkon ta përvetësojë këtë”, u shpreh Meço.
Edhe Ermal Hasimja mohoi që vendimi i pedagogëve për t’iu bashkuar protestës të jetë marrë nën ndikimin e opozitës apo të ndonjë figure tjetër politike.
“Vendimin e kanë marrë pedagogët, nuk e ka marrë as Partia Demokratike, as Lapaj, as Shehaj, askush”, deklaroi Hasimja.
Pas marshimit, një pjesë e akademikëve vijuan të qëndronin përkrah studentëve dhe protestuesve të tjerë pranë Parlamentit, duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre për kauzën e ngritur.
