Dy persona janë shpëtuar nga Policia Kufitare pasi u rrezikuan të mbyteshin me një pedalone në afërsi të ishujve të Ksamilit.
Ngjarja është regjistruar pasditen e së martës, pas një telefonate në sallën operative që njoftonte se një pedalone kishte pësuar defekt dhe kishte nisur të merrte ujë brenda. Për pasojë, mjeti lundrues ishte anuar dhe dy personat në bord rrezikonin të përfundonin në det.
Në pedalone ndodheshin Hetem Mezini, 29 vjeç, dhe Zef Mersini, 36 vjeç, të dy banues në Kukës. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës ndërhynë me mjetin lundrues BP-11 dhe dy jetski.
Efektivët arritën t’i nxirrnin dy personat nga situata e rrezikshme, të cilët u konstatuan në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, pedalonja u tërhoq drejt bregut me ndihmën e mjeteve lundruese të ndërhyrjes.
