Në fushën e mjekësisë është duke ndodhur një lloj ndryshimi pozitiv ku thënia e vjetër e Hipokratit “forcat natyrale brenda nesh janë shëruesit tanë të vërtetë'”, po fillon të marrë kuptimin dhe vendin e duhur. Thuhet shpesh herë që është më mirë të parandalosh se sa të kurosh një sëmundje por, -“A jemi ne mjaftueshëm të informuar lidhur me si të ndihmojmë veten dhe fëmijët tanë, të qëndrojmë të shëndetshëm në mënyrë që të parandalojmë sëmundjet ?”. Mjekia pediatre Beltina Guçe iu është përgjigjur disa pyetjeve që prindërit shpesh iu drejtojnë mjekëve në lidhje me fëmijët e tyre. Gjatë një interviste për gazetën “Shqip”, pediatrja jep informacione të domosdoshme për vitaminat që prindërit duhet apo jo t’iu japin fëmijëve.
A ka nevojë fëmija për vitamina?
Fëmijët, dieta e të cilëve përmban ushqime të pasura në nutrientë nuk kanë nevojë për shtesa në vitamina. Megjithatë termi ‘’dietë e pasur’’, është disi përgjithësues dhe shpeshherë prindërit janë jo të qartë nëse ushqimi që po i japin fëmijës ka të gjithë elementet e nevojshëm për mirërritjen dhe zhvillimin e tyre. Është kjo arsyeja që e bën të dobishëm përdorimin e multivitaminave, kur këto të fundit janë të rekomanduara nga mjeku. Vitaminat cilësore furnizojnë trupin me sasinë ditore të rekomanduar të vitaminës përkatëse . Secili prind është i këshilluar të bëjë kërkime dhe të konsultohet me pediatrin përpara se të vendosë për llojin e vitaminës që do ti japë fëmijës. Studimet kanë treguar se suplementet në vitaminë mund të përmirësojnë funksionimin e trurit, vëmendjen në shkollë, imunitetin dhe ajo që është më e rëndësishme, të parandalojnë sëmundje të tilla sic janë anemia apo rakititi.
Sa i rëndësishëm është hekuri në shëndetin e fëmijës?
Kam besimin se shumica e prindërve kanë dëgjuar dhe janë tashmë të familjarizuar me rëndësinë që ka hekuri në shëndetin e fëmijëve. Nuk është plotësisht e qartë se pse në Shqipëri në një numër të rëndësishëm të fëmijëve që paraqiten për ndihmë mjekësore nëpërmjet analizave rutinë të gjakut shpeshherë zbulohet deficit i hekurit dhe në jo pak raste dhe anemia për shkak të këtij deficiti, duke e bërë këtë të fundit sëmundjen më të shpeshtë. Kjo shkaktohet nga mos shtimi i suplementeve në dietë kur është nevoja për to. Jo te gjithë fëmijët kanë nevojë për shtesa në hekur. Fëmijët që ushqehen me gji dhe që janë më të vegjël se tre muaj, nuk kanë nevojë për suplemente hekuri, bebet që ushqehen me qumësht formulë gjithashtu nuk kanë nevojë për suplementë, kjo për arsyen se formulat janë të fortifikuara me hekur. Fëmijët e moshës 3 muaj deri ne 3 vjeç, shpesh herë kanë nevojë për hekur në sasinë 1mg/ kg peshë dozë ditore.
Cilat do qofshin arsyet e mosushqyerjes së shëndetshme, duhet mbajtur një vështrim i kujdesshëm mbi shëndetin e fëmijëve që bien në këtë kategori. Pasojat variojnë për nga rëndësia nga me të lehtat siç është deficenca e kompensuar tek ato më te rëndat si anemia e rëndë apo dëmtimi i funksionit të qelizave të trurit. Megjithatë më duhet të theksoj që prindërit asnjëherë nuk duhet ti japin fëmijës së tyre hekur pa u konsultuar paraprakisht me mjekun pediatër, sasitë e tepruara të hekurit janë të dëmshme për organizmin e fëmijës!!!
A duhet ti jepni fëmijës vitaminë D?
Vitamina D natyralisht prodhohet nga lëkura kur kjo e fundit ekspozohet ndaj dritës së diellit. Nëse dalja në diell për fëmijën tuaj është periodike dhe sipërfaqja e lëkurës e ekspozuar është e konsiderueshme, fëmija nuk ka nevojë për vitaminë D. Individët që kanë ekspozim të pakët ndaj dritës së diellit për shkak të kushteve të jetesës apo të jetuarit në vende malore (si në shume zona në veri apo jug të vendit tonë) mund të zhvillojnë deficit të vitaminës D. Kjo vitaminë është veçanërisht e nevojshme për të parandaluar rakititin. Në bebet që ushqehen vetëm me gji suplementi me vitaminë D fillohet që në ditët e para të jetës me dozën e rekomanduar nga mjeku pediatër. Qumështi i lopës është i pasur me vitaminët D dhe gjithashtu dhe qumështi formule në këto raste sërish rekomandohet konsultimi paraprak me mjekun pediatër dhe është ky i fundit që përcakton nëse kërkesat e fëmijës tuaj për vitaminë D janë të plotësuara.
A ka nevojë fëmija juaj për suplemente kalciumi?
Kalciumi është element i nevojshëm për mineralizimin normal dhe rritjen e kockave të fëmijëve. Ajo qe e bën akoma më të rëndësishëm është roli i tij në parandalimin e osteoporozës së mëvonshme. Në dietat normale nevojat për kalcium plotësohen me produkte ushqimore të tilla si produktet e mishit dhe të qumështit. Do t’iu duhet të konsultoheni me mjekun pediatër, veçanërisht nëse fëmija juaj është shumë aktiv në aktivitete sportive. Në këto raste mund të lindë nevoja për shtesa në suplemente kalciumi.
Cili është roli i vitaminës B12? A ka nevojë fëmija juaj për shtesa të saj?
Vitamina B12 është thelbësore ne procesin e maturimit me qellim funksionimin optimal të qelizave te trurit në trupin e njeriut. Mungesa e saj shkakton dëmtime serioze në sistemin nervor. Problem tjetër po aq i rëndësishëm është anemia që vjen si pasojë e deficitit të vitaminës B12. Në përgjithësi në dietat e zakonshme të vendit tonë nuk ka mungesë të kësaj vitamine me qenë se shumica e ushqimeve me orgjinë shtazore si dhe produktet e qumështit e përmbajnë këtë vitaminë. Unë do të veçoja nevojën për shtesë në vitaminë B12 në rastet kur fëmijët janë përzgjedhës të ushqimeve me prejardhje bimore. Gjithsesi kërkesat janë të personalizuara dhe konsulta me mjekun pediatër ndihmon në bërjen e zgjedhjes së mençur.
Çfarë janë acidet yndyrore esenciale?
Acidet yndyrore esenciale, janë yndyra të cilat nuk mund të prodhohen nga trupi i njeriut, por mund të merren vetëm nëpërmjet dietës apo suplementeve. Ato janë të nevojshme për zhvillimin normal të sistemit nervor dhe gjithashtu kanë rol të rëndësishëm në shëndetin e mirë të zemrës dhe të lëkurës së fëmijëve dhe të të rriturve. Në fëmijët dieta e te cilëve është e varfër me ushqime që përmbajnë acide yndyrore esenciale, është dobiprurëse shtimi i suplementeve të vajit të peshkut. Ajo së cilës do ti kushtoja rëndësi të veçantë në këtë pjesë është që prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e produkteve pa përmbajtje pesticidesh apo metalesh të rënda siç është mërkuri. Prandaj zgjedhja e produkteve cilësore mbetet prioritet.
Si duhet të veprojnë prindërit kur fëmija juaj bën pjesë në grupin e fëmijëve me kërkesa të veçanta?
Ne mirërritjen e fëmijëve me sëmundje kronikë duhet gjithmonë të konsiderohet fakti që ushqyerja e shëndetshme dhe shtimi i suplementve të duhura ndihmon në ecurinë e mirë të sëmundjes. Prindërit e këtyre fëmijëve duhet te jenë të vetëdijshëm qe kërkesat e fëmijës së tyre mund të jenë shumë te ndryshme nga ato te fëmijëve pa probleme. Në kushte të tilla është domosdoshmëri konsultimi paraprak me mjekun pediatër, përpara fillimit të çdo ushqimi të ri, suplementi apo vitamine.
12 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)