Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se brenda mazhorancës është ngritur një mekanizëm për të monitoruar aktivitetin e zyrtarëve në rrjetet sociale dhe qëndrimet e tyre ndaj protestave të zhvilluara kundër qeverisë.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha u shpreh se përfaqësuesit e mazhorancës po vëzhgohen për të parë nëse janë angazhuar publikisht kundër lëvizjes qytetare dhe protestave të të rinjve. Sipas tij, mungesa e reagimeve apo e postimeve në rrjetet sociale mund të konsiderohet problem për zyrtarët që nuk ndjekin këtë linjë.
Duke përdorur ironi, kryedemokrati e cilësoi mekanizmin e pretenduar si “Komisioni Balla”, duke ia atribuar Taulant Ballës rolin e kontrollit të aktivitetit online të përfaqësuesve të qeverisë.
Berisha pretendoi se përmes këtij monitorimi po evidentohen zyrtarët që nuk kanë publikuar qëndrime kundër protestuesve apo nuk kanë qenë mjaftueshëm aktivë në mbështetje të qëndrimit të mazhorancës.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe Niko Peleshin, të cilin e cilësoi në mënyrë ironike si “viktimën e parë” të këtij mekanizmi. Sipas pretendimit të Berishës, Peleshi është konsideruar nga Balla si jo mjaftueshëm aktiv me postimet e tij në rrjetet sociale.
Berisha i paraqiti këto pretendime si dëshmi të presionit që, sipas tij, po ushtrohet brenda radhëve të mazhorancës për mënyrën se si zyrtarët reagojnë publikisht ndaj protestave.
“Ndërkohë, panik, tmerr, frikë në kampin e qeverisë. Krijohet Komisioni Balla. Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata, të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare dhe flamingove pra.
Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre. Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën, laj e thaj, Balla i ka mbetur atij.
Me kryetarin e komisionit të vëzhgimit të rrjeteve sociale të nomenklaturës socialiste. A do ketë viktima të tjera? Do ketë, por ato janë pa emër, pa pasojë, ndaj dhe nuk ia vlen fare t’i përmendësh”, tha Berisha.
